Alarm, një sëmundje e rrallë shfaqet në Tiranë
TIRANE
Panik në spitalin Infektiv të Qendrës Spitalore. Një grua nga Hasi, 35 vjeç ka vdekur nga ethet hemoragjike, ndërkohë dyshohet se virusi ka prekur dhe të afërmit e saj. I shoqi dhe vëllai i tij, 45 dhe 50 vjeç prej tri ditësh janë nën kujdesin e mjekëve të Infektivit. Këta të fundit pohojnë për Gazetën se analizat laboratorike nuk janë konfirmuar ende, megjithatë simptomat janë të qarta dhe të ngjashme me ato që kish shfaqur gruaja para se të mbërrinte me urgjencë në spitalet "Nënë Tereza".
Shkaku
E kanë shkaktuar minjtë apo riqnat(lloj insekti)? Mjekët janë në dilemë për të dhënë një përgjigje të saktë. Vetëm pas analizave gjërat do të jenë më të qarta, sigurojnë ata, ndërsa sqarojnë se virusi transmetohet nga kafshët te njeriu, dhe është specifik në ato zona ku mbarështohen kafshë shtëpiake. Para dy vjetësh u izolua një fshat i tërë në rrethinat e Hasit, ndërsa specialistët e Institutit të Shëndetit Publik rendën të dizifektonin shtëpitë. Që prej asaj kohe kjo sëmundje nuk shkruhej në diagnozat e doktorëve të Infektivit, me përjashtim të një rasti të 2001-it, që vinte po nga Hasi, por që ia hodhi vdekjes. Ditën e dytë të qershorit të sivjetshëm virusi mbërriti prapë në Infektiv, këtë herë mbolli vdekjen. "Eshtë sezoni i sëmundjes, shfaqet kryesisht në verë", thotë prof.dr Elmas Eltari. Sipas tij në Ballkan, sidomos në Kosovë, qarkullojnë dy tipe të etheve hemoragjike.
Rrëfimi
Më datë 2 qershor 35 vjeçarja vuri këmbë në spitalin Infektiv të QSUT-së. Vinte me urgjencë nga spitali Hasit, disa kilometra larg fshatit ku banonte, me një letër përcjellëse nga mjekët e atyshëm. Infermieret dhe specialistët e Infektivit janë shokuar nga gjendja e rënduar e gruas së re. "Kishte hemoragji të tmerrshme. Temperatura dhe ethet nuk e lëshuan për asnjë çast derisa dha shpirt", tregojnë infermieret e spitalit. Pas dy ditësh vdiq. Të afërmit morën rrugën e kthimit për të kryer ceremoninë e përmortshme. "Dy ditë më vonë u dukën prapë në derë të spitalit", vijojnë punonjëset e shërbimit, këtë herë për t'u dorëzuar ata vetë specialistëve, kishin të njëjtat simptoma, ethe dhe temperaturë të lartë. Janë kryer me urgjencë analizat paraprake, ndërkohë një grup inspektorësh nga Instituti i Higjienës kanë marrë përsipër konfirmimin e tyre. "Nuk mund të them asgjë. Përgjigja e analizave del të premten", tha dje shefi i pavionit, Kozma Tavanxhi. Ai siguroi se pacientët janë jashtë rrezikut për jetën edhe nëse laboratori konfirmon për ethe hemoragjike, "prapë, në këtë fazë them se infeksioni nuk rrezikon jetën", tha më tej doktori.
Atmosfera
Maskat dhe dorezat në gojët dhe duart e infermiereve rikthejnë jehonën e SARS-it të, që mbërtheu spitalin Infektiv, para pak javësh, kur drejtoria e QSUT-së "shpërndau" për punonjësit e shërbimit masat anti-SARS. Pacientëve, që të dy në një nga dhomat e katit të parë të Infektivit, u shërben përveç infermiereve dhe një e afërme e tyre, edhe ajo me një palë doreza në duar. Pa maskë. "Virusi nuk transmetohet me anë të frymëmarrjes, megjithatë ne i përdorim", thanë infermieret. Pacientët refuzuan të flisnin. Gjithë ç'ka ndodhur, shfaqjen e simptomave te gruaja, e më pas në organizmat e tyre, temperaturën, ethet, të gjitha detajet e sëmundjes dhe shqe tësimet ua kanë përcjellë doktorëve në rrëfimin e tyre. "Do të ikim prej këndej", thonë, ndërsa për momentin numërojnë orët e vapës në Infektivin e QSUT-së.
Ç'janë ethet hemoragjike
"Duke u nisur nga vetë emri, ethe hemoragjike merren me mend shenjat e sëmundjes, ethe dhe hemoragji", tha prof.dr. Elmas Eltari. Ka patur vdekshmëri të lartë në fillimet e saj, është zbuluar si sëmundje në 1988-ën, sot nuk është më vdekjeprurëse, "megji-thëse për të si për të gjitha viruset nuk ka ndonjë mjekim specifik. Njihen disa lloje të etheve hemoragjike, në Ballkan qarkullojnë dy", tha Eltari. Përcillet nga kafshët te njeriu, por atë mund ta përcjellë dhe një i sëmurë. Transmetimi bëhet me kontakt të ngushtë.
Flet shefi i reanimacionit
Pilaca: "Virusi vjen nga Kosova"
"Virusi mund të vijë nga Kosova", tha dje doktor. Arben Pilaca, shef i reanimacionit në Spitalin Infektiv. Sipas tij përsëritja e tij në të njëjtën zonë, në rrethinat e Hasit, nuk është koeçidencë.
Eshtë përcaktuar se pacientët janë prekur nga ethet hemoragjike?
Jo nuk mund të flasim ende për diagnozë përfundimtare. Për rastin e gruas që vdiq po, simptomat ishin të qarta.
Kur është shënuar rasti i fundit në Infektiv?
Dy vjet më parë, pacienti i prekur vinte nga Hasi dhe u shërua plotësisht.
Si e shpjegoni përsëritjen e sëmundjes në të njëjtën zonë?
Për mendimin tim shfaqja e sëmundjes në fshatrat e Hasit lidhet me afërsinë që ka kjo zonë me Kosovën. Unë kam qenë në Kosovë dhe kam parë hartën e etheve hemoragjike, vatra të tëra të sëmundjes. Atje ky virus është shumë i përhapur.
Nga se shkaktohet?
Për rastin konkret mund të them se është shkaktuar ose nga një lloj miu, që njihet si miu me shirit të verdhë, (jashtëqitjet e tij mund të kenë infektuar ushqimin, nuk përjashtohet dhe mundësia e ndonjë kafshimi). Por virusin mund ta përcjellë dhe një lloj insekti, riqna.
KARAKTERISTIKAT E SEMUNDJES
- SHENJAT E SEMUNDJES JANE TEMPERATURE, ETHE DHE HEMORAGJI
- NUMEROHEN 10 LLOJE TE ETHEVE HEMORAGJIKE
- DY QARKULLOJNE NE BALLKAN
- PREK MOSHAT E REJA MBI 18 VJEÇ
- SHFAQET NE FSHATRAT E ZONAVE TE THELLA
- BURIM INFEKSIONI JANE KAFSHET, KRYESISHT MIU DHE INSEKTET
- TRANSMETOHET DHE NDERMJET NJEREZVE ME KONTAKT TE NGUSHTE
- NUK KA MJEKIM SPECIFIK
- SHKAKTON VDEKJEN NE FAZEN E SAJ AKUTE
--------------------------------------------------------------------------------
HAS, PERCAKTOHET VATRA E SEMUNDJES
Shpërthejnë ethet hemoragjike
Shënohen 5 raste të reja, 2 në spitalin e Kukësit
--------------------------------------------------------------------------------
Ethet hemoragjike kanë shënuar tre raste të reja në rrethin e Hasit. Ndërkohë dy të dyshuar po mbahen nën kontroll të rreptë nga specialistët e spitalit të Kukësit. Mjekët pohuan se pacientët vijnë po nga fshatrat e Hasit. Pa llogaritur këtu 2 vëllezërit që po kurohen në Infektivin e Tiranës dhe as gruan e njërit prej tyre 35 vjeç, vdekur në fillim të qershorit. Në organizmin e saj sëmundja kishte përparuar në fazën akute.
Vatra
Specialistët e Institutit të Shëndetit Publik kanë inspektuar ndërkohë fshatin ku është rishfaqur virusi. Eshtë izoluar vatra e sëmundjes, ndodhet në Vlahën. Janë dizinfektuar shtëpitë e atyshme, ndërkohë janë intesifikuar përpjekjet për ta mbajtur situatën nën kontroll. Specialistët kanë sugjeruar këshillat e domosdoshme për të mbajtur larg infeksionin. "Duhet patur kujdes që personat që merren me bagëti të ruhen nga riqna, insekti që bën transmetimin e sëmundjes nga trupi i bagëtive e ua injekton atë njerëzve", kanë thënë specialistët. Ndërkaq një varg detyrash janë lënë për mjekët në rrethin e Hasit. Eshtë e pritshme që sëmundja mund të pasojë dhe me raste të reja, pasi përpos faktit që është karakteristike në këtë sezon ajo është dhe ngjitëse dhe lehtësisht e transmetueshme.
Mjekët
Më të qetë se kolegët e tyre në Tiranë, mjekët e spitalit rajonal të Kukësit pohojnë se situata nuk është alarmante. "Përveç dy personave të dyshuar nga Hasi në spitalin tonë nuk ka asnjë pacient tjetër të prekur nga kjo sëmundje. Aq më pak ndonjë banor të Kukësit", tha dje drejtori i shërbimit spitalor, Mark Nufi. Ai tha se janë dërguar 50 kampione gjaku në Greqi për analiza, brenda pak ditësh priten rezultatet e tyre. Përgjigjet do të japin konfirmimin dhe për raste të tjera të mundshme.
Në Infektivin e Tiranës
Rëndohet gjendja e 45 vjeçarit nga Hasi
Hemoragjia që i ka shpërthyer gjatë ditës së djeshme i bëri të panevojshme përgjigjet e analizave, që pritet të mbërrijnë në Spitalin Infektiv. Sëmundja u shfaq me të gjitha simptomat në organizmin e 45-vjeçarit nga Hasi. Ethet hemoragjike në trupin e tij u dukën me të njëjtat shenja që kishte shfaqur gruaja pak para se të vdiste, një javë më parë. "Gjendja e tij është rënduar së tepërmi ditën e djeshme", thanë specialistët e Infektivit që kujdesen për pacientin. Ata thanë se presin sot përgjigjet e analizave që do t'i vënë emrin sëmundjes, ndërkohë që kanë pasuruar recetën e të sëmurit me barna, serume dhe qese gjaku për të kompesuar humbjet dhe për ta shpëtuar nga vdekja.
--------------------------------------------------------------------------------
Ethet Hemoragjike, 80 vatra të virusit në Kosovë
--------------------------------------------------------------------------------
Këpushat që transmetojnë ethen hemoragjike gëlojnë në fshatrat e Hasit. Specialistët e Shëndetit Publik kanë pohuar se rreziku mbetet evident gjatë gjithë sezonit, kur kanë vërejtur gjatë inspektimit insektet e panumërta në kurrizet e bagëtive.
Hasi
Flitet për një vatër të vetme në Shqipëri, fshati Vlahën i Hasit, prej nga janë transportuar në Infektivin e Tiranës 3 persona, syresh një ka vdekur, 33 vjeç. Për rastet e tjera që pritet të mbërrijnë nga spitali i Kukësit, shefi i Infektivit, Kristo Pano tha se nuk kanë lidhje familjare me të prekurit që po kurohen në spitalin e Tiranës. Kjo do të thotë se përhapja e sëmundjes deri në këtë moment i detyrohet insekteve që kanë shpërthyer në fshatra dhe më pak transmetimit me kontakt të ngushtë që mund të justifikojë vetëm të shtruarit aktualë te Infektivi, dy vëllezër nga Vlahni.
Kosova
Përtej vijës kufitare, vetëm pak pak kilometra nga fshati Vlahën, autoritetet shëndetësore kosovare thanë se ekzistojnë 80 vatra të etheve hemoragjike, lajmi u transmetua dje nga MIA dhe Kosova-pres. Drejtori i Institutit Kombëtar për Shëndetësi Publike, Isuf Dedushaj bëri të ditur se ndër 80 vatrat e sëmundjes epidemike më problematiket janë Malisheva, Rahoveci, Prizreni, Klina, Gjakova. Dedushaj tha se Ethet Hemoragjike kanë shkaktuar vdekjen e një 54 vjeçari nga komuna e Rahovecit, ndërsa numërohen 6 persona të prekur nga kjo sëmundje. Drejtori i Institutit e shpjegoi rishfaqjen e Etheve Hemoragjike me fillimin e sezonit të verës, kur kjo sëmundje është karakteristikë. Virusi nuk ka kursyer as një të ri 14-vjeçar nga Malisheva. Sipas Dedushajt parandalimi i kësaj sëmundjeje mund të arrihet vetëm pas 10 vjetësh me përfundimin e dizinsektimit të zonës. "Për momentin në klinikën tonë kemi dhe tre persona të tjerë, të cilët dyshohen se janë të prekur nga ethet hemorragjike, por ne jemi duke pritur nga instituti i Lubjanës që të konfirmohen këto rezultate", tha Dedushaj.
Burimi i informacionit:http://www.forumishqiptar.com/archive/index.php/t-19097.html
No comments:
Post a Comment